Dy marinarë të marinës amerikane janë arrestuar dhe akuzuar për spiunazh për Kinën, sipas informacioneve nga Associated Press të transmetuara nga Reuters.

Një marinar 22-vjeçar që shërbente në një anije luftarake në San Diego u arrestua të mërkurën, duke u përballur me akuza në lidhje me spiunazh dhe komplot për të dërguar informacion tek zyrtarët kinezë, raportoi AP, duke cituar zyrtarë amerikanë që folën në kushte anonimiteti.

Një tjetër marinar u arrestua në bazën e marinës amerikane në Ventura County, në veri të Los Anxhelosit. Ai akuzohet për konspiracion dhe financim nga një zyrtar kinez, sipas informacioneve nga i njëjti burim.

Vitet e fundit, marrëdhëniet e Uashingtonit me Pekinin janë tensionuar për arsye që lidhen me sigurinë kombëtare dhe çështjet tregtare. SHBA e ka akuzuar Kinën për spiunazh dhe sulme kibernetike, por pala kineze i hedh poshtë akuzat. Kina ka bërë akuza të ngjashme në të kaluarën.

Probleme të tjera në marrëdhëniet kino-SHBA janë ndalimi i eksportit të teknologjisë së avancuar nga SHBA, politika industriale e Pekinit, abuzimet e të drejtave të njeriut në Kinë, origjina e koronavirusit që shkaktoi pandeminë Covid-19, tarifat tregtare dhe çështja e Tajvanit.