Itali, 8 shtator 2014 –  Policia italiane ka arrestuar dy rumunë, njëri i moshës 30 dhe motra e tij 25 vjeçare, pasi akuzohen për vrasjen e shqiptarit Pirro Moca në Itali, i cili humbi jetën dy netë më parë në një diskotekë në qytetin e Arezzo-s.

Sipas policisë italiane, dy rumunët po përgatiteshin të largoheshin nga Italia drejt Rumanisë për t’i shpëtuar arrestimit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në një klub nate në Arezzo. Një nga rumunët duke ecur në diskotekë ka goditur me shpatull Mockën, dhe më pas ka nisur përplasja mes dy grupeve për motive banale.

Bashkë me 29-vjeçarin janë plagosur gjithashtu dhe dy shqiptarë të tjerë, përkatësisht 25 dhe 30 vjeç.

Tre të rinjtë shqiptarë janë nisur menjëherë për në spital, por fatkeqësisht 29-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë rrugës, për shkak të hemorragjisë. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/