ITALI, 11 shkurt 2013– Karabinierët e provincës Asti kanë ndaluar mbrëmjen e së dielës dy shqiptarë, të akuzuar për vjedhje. Siç raportojnë sot mediat italiane dy shqiptarët, Tonin Prendi, 30 vjeç dhe Arben Ndoci, 44 vjeç kanë tentuar një natë më parë të grabisin bagëtitë e një pronari ferme mbarështimi gjedhësh në Tonco.

Dy shqiptarët, njëri prej të cilëve me precedentë të mëparshëm penalë, kishin zgjedhur orët e vona të së dielës për të vënë në zbatim planin e tyre. Por tentativa e shqiptarëve ka dështuar, pasi ata janë pikasur nga pronari i fermës, që ka njoftuar menjëherë forcat e rendit.

Dy grabitësit kanë tentuar të largohen me një automjet në pronësi të Prendit, por policia e vendit fqinjë ka arritur t’i prangosë në afërsi të qytezës Asti. Shqiptarëve u janë sekuestruar shumë materiale që i përdornin gjatë grabitjeve të ndryshme.

Që nga fillimi i vitit në provincën e Astit janë denoncuar 24 raste vjedhjeje, ndërkohë që 12 grabitës kanë përfunduar në pranga, ndërsa 13 të tjerë janë shpallur në kërkim.

(m.b./AGJENSIA E LAJMEVE “DYRRAH”)