Kosovë, 12 korrik 2014 – Dy shqiptarë janë arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se do të kryenin një vrasje me pagesë. Gjatë një operacioni të zhvilluar në qytetin e Pejës, në pranga kanë përfunduar dy shqiptarët   S. D 44 vjeç si dhe N . M  49 vjeç si dhe një shtetasi kosovar B. G  39 vjeç.
 
Arrestimi i tyre u bë pasi policia e Kosovës kishte marrë informacione se disa persona të panjohur nga Shqipëria ishin paguar rreth  40 000 euro nga një kosovar, me qëllim që të vrasinin një person në Kosovë dhe për këtë kishin kohë që përgatiteshin. 

Nga hetimet e policisë kosovare, 39-vjeçari nga Kosova kishte paguar shtetasin N . M  49 vjeç (nga Shqipëria) për të kryer vrasjen, ndërsa si ndërmjetës ka shërbyer 44 vjeçari S.D.
 
Në momentin e arrestimit  është gjetur një armë zjarri pistoletë e tipit TT dhe një karikator me 8 fishek.  Sipas policisë së Kosovës ndaj të dyshuarve janë lëshuar vendime mbi ndalimin prej 48 orësh për të vazhduar me procedurat tjera hetimore.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/