Dy të rinj, njëri nga Kukësi e tjetri nga Durrësi, janë arrestuar pasi kanë kundërshtuar punonjësit e policisë për paraqitjen e dokumenteve të identifikimit, ndërsa drejtuesi i mjetit ishte edhe nën efektin e alkoolit.

Të arrestuarit janë Blerim Lugja 26 vjeç, banues në Kukës dhe Florin Lugja 21 vjeç, banues në Durrës.

Ngjarja ka ndodhur mesnatën e 21 qershorit, në lagjen nr. 3 në Durrës, ku të dy ata kanë kundërshtuar punonjësit e policisë të rendit publik pas kërkesës për paraqitjen e dokumenteve të identifikimit dhe dokumentacionit të automjetit tip “Fiat Punto”, me targa AA 189 NJ, me drejtues 26-vjeçarin nga Kukësi.

Nga bërja e testit të alkoolit, drejtuesi i mjetit ka rezultuar i pirë në masën 0.57 mg/litër.

Policia informon se të dy të rinjtë janë persona me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës, kundërshtim të punonjësit të policisë dhe të lëndëve narkotike.