Policia italiane ka shkatërruar një tjetër bandë shqiptarësh të trafikut të drogës.
Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, në sajë të operacionit të koduar “Valkyria”, Guardia di Finanza e Bolonjas ka vënë në pranga 4 shqiptarë.
Banda, që aktivitetin e saj e ushtronte në Emilia Romagna dhe Lombardi, e blinte kokainën në Holandë dhe e shpërndante në tregun bolonjez.
Kjo organizatë drejtohej nga dy vëllezër shqiptarë. Ata mësohet se kishin krijuar një sistem “korrierësh” të besueshëm, duke përdorur thuajse gjithmonë familje dhe gra për të mos ngritur dyshime.
Një ndër klientët më besnikë të shqiptarëve ishte dhe një ushtarak 42 – vjeçar, i arrestuar shkurtin e shkuar nga karabinierët dhe i pezulluar nga detyra, pasi akuzohet se blinte dhe më pas e shiste drogën në lokalet e natës, apo në “festa” private me bazë seksin dhe kokainën.





