Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe të Stacionit të Policisë Fushë Krujë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Derveni”.
Efektivet, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, kishin mësuar se dy shtetas kishin përshtatur një ambient në fshatin Derven, për kultivim të kanabisit me anë të llambave,
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- Ll. L., 57 vjeç dhe E. L., 24 vjeç, (babë e bir), banues në fshatin Derven.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesës dhe ambienteve në pronësi të këtyre shtetasve, kanë konstatuar një ambient (stallë), të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, ku brenda saj u gjetën dhe u sekuestruan:
316 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar në vazo plastike, llamba, pajisje të ndryshme elektrike dhe aspiratorë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi 1.822.000 lekë dhe 37.000 euro, të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.





