SHBA – Një operacion i madh kundër krimit kibernetik i organizuar nga Shtetet e Bashkuara solli arrestimin e dhjetë personave përgjegjës për 850 milionë dollarë të vjedhura nga përdoruesit e internetit, vjedhje që u krye veçanërisht duke përdorur rrjetin social Facebook. Lajmi bëhet i ditur nga BBC.
Përdoruesit e Facebook qenë sulmuar nga piratët së paku gjatë dy viteve të fundit. Banda thuhet se ka përdorur sistemin Botnet për të vjedhur të dhënat për kartat e kreditit dhe llogarive bankare.
Facebook punoi bashkë me autoritetet për të zbuluar burimin e sulmeve si dhe për të identifikuar përdoruesit që mund të kenë rënë viktima të këtij krimi. Të dyshuarit janë arrestuar në SHBA, Britani, Bosnjë, Kroaci, Maqedoni, Zelandën e Re dhe Peru.
Botnet është një rrjet kompjuterësh që është infektuar nga një virus që i lejon kriminelëve të teknologjisë së lartë t’i përdorin kompjuterët në distancë. Në këtë sulm të vetëm, 11 milionë sisteme kompjuterike thuhet se u kompromentuan nga variante të ndryshme të një softi kompjuterik të njohur si Yahos.