VLORË, 23 prill 2013– Kapet i kërkuari Ermal Sakaj, shpallur në kërkim policor për disa ngjarje të rënda të ndodhura në qytetin e Vlorës.
Ndalimi i Ermal Sedat Sakaj, 26 vjeç banues në lagjen “4 Heronjtë” Vlorë, u krye pasi më datë 10.07.2012 ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin me iniciale K. M, si dhe më datë 27.11.2012 ka tentuar të vrasë po me armë zjarri shtetasin A. M.
Sakaj dyshohet edhe për disa ngjarje të tjera dhe klasifikohej si një person me rrezikshmëri të lartë kriminale dhe për kapjen e tij ishin organizuar disa operacione policore.
Ndaj këtij shtetasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe, “ Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme penale.





