Një 25-vjeçar nga Fushë-Kosova është arrestuar në pikën kufitare të Morinës me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrim i rëndë”.
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar J. D., 25 vjeç, banues në Fushë-Kosovë.
“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, pasi Gjykata e Bambergut, Gjermani, me vendimin e datës 14.06.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi i rëndë”, parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë,” njoftoi policia.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.





