Në kërkim për disa vepra penale, vihet në pranga një 28-vjeçar me inicialet K.B. i cili qarkullonte i armatosur dhe përplasi automjetin e punonjësve të Policisë gjatë operacionit për kapjen e tij.
U shoqërua në Komisariat dhe një i afërm i 28-vjeçarit, pasi në momentin e ndërhyrjes së Policisë, për kapjen e shtetasit në kërkim, i shoqëruari dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, një 26-vjeçar që ishte në automjet me 28-vjeçarin.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë kanë marrë informacion se shtetasi i kërkuar po lëvizte me automjet, në lagjen nr. 4, Laç.
Në momentin e ndërhyrjes për ndalimin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, dhe menjëherë kanë ndërhyrë.
Shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje të automjetit që lëvizi me shpejtësi, sapo u konstatuan shërbimet e Policisë.
Gjatë ndjekjes, automjeti që drejtohej nga shtetasi i kërkuar, në tentativë për t’iu shmangur shërbimeve, është përplasur me automjetin e shërbimeve operacionale të DVP Lezhë.
Shërbimet e Policisë kanë neutralizuar dhe arrestuar shtetasin K. B., 28 vjeç, banues në Laç. Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 kallashnikov) dhe municion luftarak. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në vitin 2023, për armëmbajtje pa leje, kanosje dhe shkatërrim të pronës.