DURRËS, 25 prill 2013– Një ndeshje futbolli në Fushë-Krujë është kthyer në tragjedi mbrëmë vonë.
Disa djem, të cilët ishin duke parë ndeshjen në një lokal në fshatin Borizanë kanë filluar një sherr, i cili ka përfunduar me vrasjen e një 19-vjeçari.
Ditën e djeshme me datë 24 prill filloi proçedimi penal në mungesë ndaj 28 vjeçarit Durim Xaka banues në Borizanë të Fushë-Krujës.
Ky shtetas dyshohet se në orën 22.30 të të ditës së djeshme gjatë një konflikti banal në ambientet e jashtme të një lokali lojrash fati në Borizanë Fushë-Krujës, ka vrarë me thikë për motive të dobëta gjatë një konflikti të çastit shtetasin Florind Kadiu.
Gjatë ditës së sotme, në sajë të informacioneve të mbledhura policia ka bërë lokalizimin e këtij shtetasi, i cili për t’iu shmangur hetimit ishte fshehur në pyll (zona malore sipër fshatit Borizanë).
Shtetasi Durim Xaka u arrestua në flagrancë për veprat penale të vrasjes me dashje dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.
Gjatë operacionit për kapjen e shtetasit Durim Xaka, ky i fundit nuk iu ka bërë rezistencë shërbimeve të Policisë.
Në cilësinë e provës materiale 28-vjecarit iu gjet dhe sekuestrua arma e krimit, thikë, dhe gjatë kryerjes së veprimeve proceduriale ai pranoi autoresinë e veprës.
Nga veprimet hetimore e proceduriale të kryera rezulton se kjo ngjarje e cila përfundoi tragjikisht kishte motive tejet banale (grindje e çastit).
Ky konflikt mes të rinjsh është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së ftohtë ndaj shtetasit Florind Kadiu 19 vjeç, i datëlindjes 1994, banues në Borizanë të Fushë-Krujës.
Mbi 28 vjeçarin rëndon akuza e kryerjes së veprës penale "vrasje me dashje" dhe "mbajtje pa leje e armëve të ftohta".





