VLORE, 9 korrik 2013 – Policia e Vlorës ka mundur të vërë në pranga një 29-vjeçar, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në kuadër të një superoperacioni policor antidrogë të agjencive italiane të zbatimit të ligjit, është bërë ekzekutimi i mandat-arrestit ndërkombëtar në ngarkim të shtetasit: Sokol Novruz Shytaj, 29-vjeç, banues në qytetin e Orikumit. 

Sipas policisë, arrestimi i këtij shtetasi u krye në orët e para të mëngjesit të sotëm në të njëjtën kohë me arrestime të tjera të kryera në Itali. 

Gjykata e Romës në ngarkim të këtij shtetasi ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” me qëllim ekstradimin dhe gjykimin e këtij shtetasi në Itali pasi dyshohet për “Trafikim narkotikësh”. 

29-vjeçari Sokol Shytaj dyshohet të jetë pjesë e një rrjeti të gjerë organizatash kriminale të narkotrafikut në Itali.