VLORE, 27 shkurt 2013– Policia e Vlorës arrestoi sot një 35 vjeçar nga ky qytet, i cili dyshohet të jetë drejtuesi i një grupi grabitësish, me një aktivitet disamujor në dëm të qytetarëve dhe institucioneve.

Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se, Kastriot Aliu, u kap gjatë një operacioni të koduar me emërtimin "Sfida 4", në banesën e tij në një nga lagjet periferike të qytetit. 

Sipas policisë, Aliu, i cilësuar "i shumëkërkuar", është drejtuesi i një grupi të përbërë nga 8 persona, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin në vende dhe kohë të ndryshme kanë realizuar 25 vjedhje me armë dhe me dhunë si dhe vjedhje automjetesh, lokalesh, banesa dhe insititucionesh arsimore në qytetin e Vlorës.

Gjatë kontrollit në banesën e Aliut, ishin gjetur të gjitha sendet e vjedhura. Ndaj tij, Gjykata e Vlorës kishte vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg". 

Pak ditë më parë, uniformat blu arrestuan shtetasit, Roland Kadria, Shaban Hamiti, Enerbi Kadriaj, Andi Yzeiri, Skerdilajd Sinanaj, Shkëlqim Bitaj, pronar i një servisi në qytezën e Levanit, Fier, si dhe një 16 vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.