DURRES, 17 prill 2013 – Mëngjesin e sotëm policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë një 37 vjeçar, i cili akuzohet për rrahjen e tre efektivëve të rendit.
Burime të komisariatit të policisë së qytetit bregdetar bëjnë të ditur se 37 vjeçari Lefter Laraj, me banim në Durrës është ndaluar pasi në orët e vona të natës së të martës ka goditur me grushta një polic të komisariatit të menaxhimit të trafikut interurban Lushnjë në zonën e plazhit të Durrësit.
Dhunimi i efektivit të policisë që ishte në krye të detyrës u pasu nga veprime të tjera të dhunshme të 37 vjeçarit, që dhunoi edhe dy efektivë të tjerë policie ndërsa këta të fundit po e shoqëronin për në komisariat.
Në njoftimin për shtyp, policia e Durrësit bën të ditur se “Arrestimi i shtetasit Lefter Laraj u krye në datë 17/04, ora 06.00, pasi më datë 16.04.2013, ora 23.00, në vendin e quajtur Plepa, lagja nr.13 Plazh, dyshohet se ka goditur me grushta gjatë kohës kur kryente detyrën punonjësin e policisë G.B., efektiv i Komisariatit të Menaxhimit të Trafikut Interurban Lushnje dhe më pas ka thyer xhamin e një pompe gazi në një karburant ne Plepa. Gjatë shoqerimit për në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës, ky shtetas ka vijuar veprime të dhunshme ndaj dy efektivëve të tjerë të Komisariatit të Policisë Durrës”.
Mbi 37 vjeçarin Laraj rëndojnë akuzat për konsumimin e veprave penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtim i punonjësve të Policisë” dhe “Dëmtim i pronës”.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





