Policët e njësisë DIAS në Greqi arrestuan mbrëmjen e djeshme një 37-vjeçar me origjinë shqiptare në Menidi të Athinës, pasi iu gjetën granata dore, municione luftarake dhe detonatorë.
Ngjarja ndodhi pas orës 20:00, kur oficerët, gjatë patrullimit të tyre, identifikuan burrin në kryqëzimin e rrugëve “Bosda” dhe “Varela”.
Me afrimin e policisë, i dyshuari hodhi dy granata dore mbrojtëse, 59 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dy detonatorë, në përpjekje për t’u arratisur. Megjithatë, efektivët arritën ta ndalojnë dhe ta arrestojnë.
Emri i tij nuk është publikuar, ndërsa autoritetet po hetojnë për qëllimin e tij kriminal dhe përfshirjen në ngjarje të tjera të ngjashme.