Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 57-vjeçar, i cili përmes mashtrimit ka përfituar nga një subjekt privat shumën prej 3 milionë lekësh të rinj.

Sipas policisë, ky shtetas ishte prezantuar si përfaqësues i një institucioni vendor dhe përmes komunikimeve në aplikacionin “Signal” ka arritur t’i marrë administratorit të subjektit privat shumën e konsiderueshme të parave.

Blutë e Lezhës bëjnë me dije se kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit dhe për të zbuluar nëse ka dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.

Njoftimi i policisë:

DVP Lezhë/Finalizohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Flop”, për zbardhjen e një skeme mashtrimi për përfitimin e parave nga operatorët ekonomikë.

Përfitoi 3 000 000 lekë nga administratori i një subjekti privat, pasi komunikoi me të në emër të përfaqësuesit të një institucioni vendor, vihet në pranga 57-vjeçari.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin kërkuar një shumë parash me anë të mashtrimit, nëpërmjet një aplikacioni, kanë nisur hetimet me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Flop”, u arrestua në flagrancë shtetasi: R. M., 57 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi R. M., në bashkëpunim me një shtetas tjetër të paidentifikuar, kanë përfituar 3 000 000 lekë nga administratori i një subjekti privat, pasi kanë komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesit të një institucioni vendor.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.