Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit. 

Një 72-vjeçar është arrestuar në flagrancë duke transportuar 16 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 450 deri në 1000 euro për person.

NJOFTIMI I POLICISË

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që transportonte shtetas klandestinë nga vendet e treta, me qëllim dhënin ndihmë, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, organizuan punën duke bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:

B. H., 72 vjeç, banues në Tiranë, pasi në aksin rrugor Gramsh-Cërrik u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me mjetin e tij, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 16 shtetas sirianë e palestinezë, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Korçë, nëpërmjet kufirit jeshil nga shtetit grek.

Ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit që varionte 450-1000 euro për secilin, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme në drejtim të Malit të Zi, me destinacion final një nga vendet e BE-së.

Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.