Administratori i një shoqërie punësimi u vu në pranga nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet për korrupsion. Rasti u denoncua fillimisht në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan, në puntatën e parë për këtë sezon.
Miratim Mezini, 34 vjeç, banues në Tiranë u arrestua pasi i ka marrë një shumë prej 320 euro një personi, dhe e ka pajisur atë me certifikatë trajnimi për përfundimin e kursit profesional, ndërkohë që nuk i është nënshtruar testimit teorik dhe praktik.
Nga hetimet e kryera rezulton se certifikata e lëshuar nuk është pasqyruar në regjistrat e amzës.
Policia e Tiranës thotë se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 70 certifikata kursi profesional dhe 2 regjistra Amze. Kjo do të thotë se hetimet do të zgjerohen për të parë nëse ka abuzime edhe me lëshimin e certifikatave të tjera.
34-vjeçari do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale "Korrupsion pasiv në sektorin privat" dhe "Falsifikimi i dokumenteve”.





