Një efektiv policie i Forcës së Posaçme Operacionale është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi ndaj tij është vendosur masë sigurie arrest në burg në mungesë.

Agjenti i policisë Jeton Lami 28 vjeç u ndalua pas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, për veprën penale të rrëmbimit të personit, referuar nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.

Nga hetimet rezulton se polici i Operacionales ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar një person shumë të kërkuar nga policia.

Më 23 Gusht, Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj agjentit të Forcës Operacionale, Jeton Lami.

Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin.