Një shtetas arab është arrestuar, pasi në bashkëpunim me dy shqiptarë, u premtonin shtetasve të huaj me kombësi egjiptiane se mund t’iu siguronin pasaporta shqiptare në këmbim të një shume të konsiderueshme në Euro.
Policia bën me dije se në pranga ra T.M., 41 vjeç, lindur në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe banues në Tiranë.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë E.M., 40 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasja M. M., 49 vjeçe (të dy shtetas shqiptar).
Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke u kamufluar si investitor dhe partner për investime në Shqipëri, u premtonin shtetasve të huaj me kombësi egjiptiane të cilët shfaqnin interes se mund t’iu siguronin atyre pasaporta të shtetit shqiptar për shuma që varionin mbi 20 000 Euro.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar dhe është provuar se personat e lartpërmendur ndërmjet një zyre binjakëzimi midis Emirateve të Bashkuara dhe Tiranës, iu kanë marrë disa shtetasve shuma të konsiderueshme në euro duke iu premtuar leje qëndrimi dhe pasaporta shqiptare (por që nuk kanë bërë të mundur dot as aplikimin për dokument të tillë si pasaporta dhe leja e qëndrimit për shkak të rregullave dhe dokumentave strikte që kërkoheshin nga zyra e kufirit dhe migracionit).
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: Zyra në Tiranë e shtetasit të arrestuar arab; tre njësi kompjuterësh të ndryshëm; një aparat celular; si dhe dokumenta të ndryshme.





