BOSTON, 20 prill 2013- Policia ka kapur gjallë të dyshuarin e dytë në shpërthimet e Maratonës së Bostonit, pas një operacioni që zgjati gjithë ditën në një lagje në periferi të Bostonit.
Policia rrethoi 19 vjeçarin Dzhokhar Tsarnaev që ishte fshehur në një barkë të parkuar në oborrin e një banese në qytezën Watertown pranë Bostonit.
Sipas njoftimeve, ai është i plagosur, por nuk dihet ende se në ç'gjendje është.
Zëri Amerikës njofton se banorët dolën në rrugë pas njoftimit duke brohoritur dhe duartrokitur për policinë dhe punonjësit e ekipeve të emergjencave, që filluan të largohen nga Watertown.
Policia ka identifikuar Dzhokar Tsarnaev dhe vëllain e tij të madh Tamerlan si të dyshuar në shpërthimet e së hënës gjatë Maratonës së Bostonit.
Shpërthimet lanë të vrarë tre vetë dhe plagosën më shumë se 170 të tjerë. Ata u identifikuan disa orë pasi FBI-ja publikoi fotot e tyre.





