Është arrestuar personi i dyshuar si autori i atentatit të kryer këtë të shtunë me armë zjarri në mes të Shkodrës, ku mbetën të plagosur 3 persona.
Burime policore bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi Aurel Ahi, 25 vjeç dhe banues në lagjen “Guerrile” të Shkodrës.
Sipas burimeve, Ahi është arrestuar në Malin e Zi, ku ishte arratisur pak pas kryerjes së atentatit, përpara teatrit “Migjeni”, në qendër të qytetit verior.
Shkodra u trondit këtë të shtunë nga një atentat në qendër të qytetit. Breshëri kallashnikovi të dala nga një automjet në lëvizje lanë të plagosur 3 persona në afërsi të teatrit “Migjeni”.
Ata janë Dionis Lisi, i cili dyshohet se ka qenë objektiv i autorëve si dhe Elona Qyrka dhe Enrik Prendushi. Sipas policisë lokale, këta dy të fundit kanë qenë kalimtarë të rastit dhe nuk kanë lidhje me atentatin. Të plagosurit u transportuan për në spitalin e Shkodrës ku në gjendje kritike për jetën është 32-vjeçari Lisi.





