Autori i dyshuar i zjarrvënies në ambientet e një spitali privat sot në kryeqytet, shtetasi Lefter Cani mësohet se e ka kaluar rrezikun për jetën dhe është arrestuar nga policia në ambientet e spitalit.

Ai nuk pranon të flasë për uniformat blu për të shpjeguar motivin e ngjarjes.

Sakaq, bilanci i ngjarjes së sotme në repartin e Hemo-Dializës është rënduar, pasi ka shkuar në dy numri i viktimave. Fillimisht u raportua se viktimë mbeti një pacient, i cili i vuri flakën vetes.

Në fakt, hetimet treguan se ai i vuri flakën një pacienti tjetër, pas një sherri, por viktimë mjerisht mbeti një grua 55-vjeçare, po paciente në dhomë. Më pas, policia njoftoi se poshtë një shtrati ishte gjetur edhe një tjetër grua e pajetë. Autori vetë mbeti i plagosur nga ngjarja.

Zyrtarisht policia pas hetimeve të fundit bën me dije se gjithcka ka ndodhur pas një sherri mes dy pacientësh dhe viktimë mbeti një tjetër paciente, e cila po merrte mjekimin në dhomë.

Ngjarja

Policia njofton se zjarri mund të jetë shkaktuar me dashje nga pacienti i identifikuar si Lefter C., 57 vjeç .

“Dyshohet se ka lindur një konflikt midis dy  shtetasve Lefter .C  dhe shtetasit  D.Saraçi, 47 vjeç. Shtetasi Lefter .C pasi ka mbaruar dializen ka shkuar në dhomën e shtetasit D.S , ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe  dyshohet të ketë spërkatur me benzinë shtetasin  D.S dhe me pas i ka  vënë zjarrin”- njofton policia.

Viktimat 

Nga flakët viktimë ka mbetur shtetasja Sanie Sulaj, 55-vjeçe nga Mamurrasi e cila ka gjetur vdekjen si pasoje e asfiksisë. Gruaja ishte duke u mjekuar në të njëjtën dhomë të repartit.

Grupi hetimor gjatë kqyrjes dhe kontrollit të vendit të ngjarjes kanë konstatuar poshtë një krevati trupin e pajetë të një pacienteje tjetër të identifikuar si shtetasja: Hani Mali, 55 vjeçe, banuese në Laç.