Dibër, 29 maj 2014 – Doksan Dushku, i akuzuar për vrasjen e vajzës së tij 21-vjeçare është vënë sot në pranga nga policia e Dibrës. Dushku, banor i fshatit Sllatinë, gjatë marrjes në polici ka pranuar se ka vrarë fëmijën e tij.
Dje, policia bllokoi arkëmortin me trupin e pajetë të një 21-vjeçareje, para se të varrosej, pas informacioneve se vajza që do të varrosej nuk kishte vdekur aksidentalisht, por ishte vrarë nga njerëzit e familjes.
Pas autopsisë, ka rezultuar se mbi vajzën është qëlluar me breshëri. Në trupin e Fatmira Dushkut janë shquar tetë plagë. Mësohet se e ndjera është fëmija i dytë i një familjeje me katër fëmijë. Policia dyshon se aktin e rëndë e ka kryer i ati i saj, por në fokusin e dyshimeve është edhe vëllai i saj dy vite më i madh.
Fatmira Dushku, 21 vjeç, dyshohet se është vrarë përgjatë orëve të para të ditës së djeshme, ndërkohë që dyshimet si shkak i vrasjes lidhen me një histori dashurie të Fatmirës dhe dyshohet se ajo ishte shtatzënë në muajin e pestë.
Pas zbardhjes së vrasjes së 21-vjeçares Fatmira Dushku, mbetet mister emri i personit me të cilin vajza kishte lidhje intime dhe priste një fëmijë.
Nuk dihen rrethanat pse vajza nuk e kishte bërë publike këtë lidhje apo pse familjarët e saj nuk e kishin pikasur, ndonëse jetonin në një fshat të vogël.
Ka dyshime të forta që personi të jetë i njohur i familjes Dushku, i cili ka mundur të hyjë lirshëm në shtëpinë e tyre, duke arritur të ketë kontakte me vajzën e shtëpisë.
Pritet që hetimet të vazhdojnë më tej dhe të kryhen ekspertizat e nevojshme për të faktuar atësinë e fëmijës, që mbante në bark viktima Fatmira Dushku.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





