Itali, 25 qershor 2014 – Gjatë operacionit “Bisanzio” të karabinierisë italiane u arrestuan 10 shqiptarë dhe një rumune, e dashura e njërit prej anëtarëve të bandës. Në tetë muajt e fundit, kjo bandë kishte kryer mbi 100 vjedhje e grabitje banesash, lokalesh, aktivitetesh tregtare dhe industriale si edhe autovetura. Banda e zhvillonte aktivitetin e saj në provincat e Savonës, Torinos e Kuneos.
Në tetor 2013, u arrestuan dy anëtarë të bandës: Zenel Beshi, 34 vjeç dhe Lacio Murrani, 27 vjeç, sepse ne makinë ju gjet një tablet dhe një laptop i vjedhur. Dy shqiptarët u ndoqën penalisht në gjendje të lirë, por u mbajtën nën vëzhgim nga policia duke përdorur metodat speciale të hetimit. Zyrtarisht Zenel Beshi (në foto bashkë me të dashurën rumune) ishte i punësuar pranë firmës “Monge”, e specializuar për prodhime ushqimesh për qen. E dashura e tij rumune Mariana Asmarandine, 23 vjeçe po ashtu kishte një punë normale për të mos rënë në sy. Madje çifti kishte udhëtuar edhe në Shqipëri, në vendlindjen e Beshit, në Burrel.
Pasi karabinieria arrin të dokumentojë një mori vjedhjesh, grabitjesh dhe dy plagosje të viktimave të grabitura fillon arrestimi i anëtarëve të bandës një e nga një. Në 15 qershor, në portin e Barit, ndërsa po hipte në traget për të udhëtur për në Durrës, arrestohet Blerim Doku, 19 vjeç. Më pas arrestohet afër Riminit Mario Vani, 26 vjeç. Jonuz Xheta, 22 vjeç,që ishte elementi më i dhunshëm i bandës e që qëndronte në mënyrë klandestine në Itali u arrestua afër qytezës së Saviljanos (Savigliano). Banda herë pas here sendet e vjedhura i dërgonte në Shqipëri apo ia shiste me çmim të arsyeshëm një rumuneje dhe 2-3 shqiptarëve të tjerë, të cilët janë denoncuar nga karabinierët për blerje sendesh të vjedhura.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





