Bosi i mafies siciliane, Matteo Messina Denaro është arrestuar pas 30 vitesh në kërkim.
“ANSA” raporton se hetimi që çoi në arrestimin e bosit mafioz u koordinua nga prokurori i Palermos, Maurizio de Lucia dhe zëvendësprokurori Paolo Guido.
Matteo Messina Denaro ra në prangat e Policisë në momentin që ishte brenda klinikës private La Maddalena në Palermo ku do i nënshtrohej terapisë.
Matteo Messina Denaro kishte qenë në arrati që nga vera e vitit 1993. Ai u gjykua dhe u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë për vrasje të shumta.
Këto përfshijnë vrasjen e prokurorëve antimafia në vitin 1992, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, sulmet me bomba vdekjeprurëse të vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë, dhe rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e djalit 11-vjeçar të një mafioz të kthyer në dëshmitar shtetëror.
“Kjo është një fitore e madhe për shtetin”, tha kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
Qindra oficerë të zbatimit të ligjit janë përfshirë në kërkimet për arrestimin e tij ndër vite.





