26 korrik 2015 – Arrestohet një shqiptar në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe mashtrim fiskal.
I njohur me pseudonimin “Masimo”, 31-vjeçari E.B., është pronar i klubit të natës “Blade Runner” në qytetin e Bolonjës, që tashmë është vënë nën sekuestrim. Dhe pse formalisht klubi nuk rezultonte në pronësi të shqiptarit, hetimet e policisë italiane vërtetuan të kundërtën.
Ndihmuar nga katër shtetas italianë, banues në Bolonja, shqiptari E.B. përfitonte nga klubi dhjetëra mijëra euro në muaj, duke e regjistruar lokalin në formën e një shoqërie kulturore pa qëllim përfitimi. Por, brenda mjediseve të klubit të natës, shitej drogë dhe madje shfrytëzoheshin dhe disa prostituta.
Rreth 15 vajza ofronin për klientët marrëdhënie seksuale në dhoma të ndërtuara enkas për këtë qëllim. Sipas policisë, vajzat, të gjitha me kombësi të huaj dhe shumica me origjinë rumune e nga Afrika e Veriut, përfitonin 50% të parave nga çdo raport i tyre seksual me klientët si dhe 10% për çdo pije të konsumuar nga ata.
Ky lokal ishte gjithashtu dhe një vend trafikimi i kokainës. Për të mos rënë në sytë e policisë italiane e për të shmangur kontrollet, shqiptari “Masimo” kishte urdhëruar që asnjë klient i lokalit të mos e kalonte shumën e 1000 eurove të konsumuar çdo natë.
Hetimi i policisë italiane ndaj klubit të natës “Blade Runner” në Bolonja nisi pas denoncimit të një prej vajzave, viktimë e prostitucionit.
Nën arrest janë vënë edhe M.C., 52 vjeç, formalisht president i shoqërisë kulturore, italiani G.M., 43 vjeç, sekretar i shoqërisë por me detyrë reale kontrollin e klientëve që mbushnin lokalin, arkëtari P.P., 66 vjeç dhe taksistin P.S., 67 vjeç, i cili shoqëronte vajzat edhe në shtëpitë e klientëve.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/