Dy të rinj, një djalë e një vajzë janë arrestuar në kuadër të operacionit policor “Përfituesi”, pasi falsifikonin kartat e identitetit për të përfituar kredi.

Efektivët e policisë së Tiranës vunë në pranga Ergys Çekanin, 24 vjeç, banues në Tiranë dhe Miranda Dashhanan, 23 vjeçe, banuese në Elbasan.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin kanë falsifikuar disa dokumente identiteti, ku me anë të këtij falsifikimi kanë përfituar kredi të ndryshme në një institucion financiar. Kredi të cilat shkojnë në  shumën monetare prej 700.000 lekësh”, njoftojnë burime zyrtare të policisë.

Nga ky operacion u sekuestruan:

• Dokumente për aplikim kredie;
• Disa fotokopje kartash identiteti me emra të ndryshëm;
• Dy aparate telefonik celular.

Dy të rinjtë akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve apo vizave” dhe “Mashtrimi në kredi”.