Itali, 5 maj 2014 – Dy hapa larg kullës së famshme të Pizës, një çift (burri shqiptar dhe gruaja rumune) kishin instaluar në një banesë një laborator heroine. Karabinierët, gjatë kontrollit të banesës, zbuluan në një vend të fshehtë në murin e banjos 4 kilogramë heroinë puro dhe 55 kilogramë substancë për përzierjen e heroinës. U gjetën edhe të gjitha mjetet e nevojshme, që shërbejnë për ambalazhimin e lëndës narkotike. Në shtëpi u sekuestruan gjithashtu 22 000 euro kesh, që besohet se janë fryt i trafikut të heroinës.

Çifti shqiptaro-rumun u arrestua në flagrancë. Bashkë me ta u prangosën edhe një tunizian së bashku me një shtetas italian, sepse sapo kishin blerë nga çifti shqiptaro – rumun 270 gramë heroinë puro.

Karabinieria po vazhdon hetimet për të zbuluar të tjerë pjesëtarë të këtij trafiku heroine. Njëkohësisht po vazhdon kontrolli i banesave dhe automjeteve të tunizianit dhe italianit të arrestuar. Emrat e të arrestuarve priten të bëhen publikë në një konferencë shtypi të karabinierisë, që besohet se do të mbahet pasditen e së hënës.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/