Policia e Kosovës ka arrestuar orët e para të mëngjesit të sotëm deputetin e Kosovës, Dardan Molliqaj, i cili është edhe bashkëshorti i ministres së Arsimit, Besa Shahini.
Lajmi është bërë i ditur nga subjekti i tij politik PSD përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se arrestimi i Molliqajt erdhi nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015.
POSTIMI I PLOTË
TË LIROHET DEPUTETI DARDAN MOLLIQAJ
Policia e Kosovës ka arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit deputetin Dardan Molliqaj. Ai është arrestuar në banesën e tij dhe nuk ka qenë i paralajmëruar më herët për seancë apo paraqitje ne gjykatë.
Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme.
Partia Socialdemokrate kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj. PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre.