Policia e Shtetit ka ekzekutuar pasditen e sotme urdhër-arrestin e lëshuar nga Prokuroria, për arrestimin e Dhurata Saliajt, vajzës se Mexhit Picarit, i cili ditën e sotme vrau ish-dhëndrin e tij.

Ajo është vënë në pranga, pasi ka thyer masën “arrest shtëpie” të vendosur nga Gjykata pasi akuzohet për dhunë në familje.

Babai i Dhurata Saliajt, Mexhit Picari qëlloi për vdekje ish-dhëndrin e tij Kudret Saliaj, ndërsa plagosi avokatin e tij. Vrasja ndodhi rreth orës 11:50, të ditës së sotme në një zonë të populluar të Tiranës, në një lokal të njohur pranë Gjykatës së Tiranës.

Më herët policia gjeti edhe armën e krimit të cilën autori e kishte hedhur në lumin Lana.

Çifti Saliaj prej disa vitesh kishte patur probleme dhe akuza të ndërsjellta për tradhti bashkëshortore dhe për dhunë fizike dhe psikologjike. Dhurata dhe Kudret Saliaj ishin në proces divorci dhe ditën e sotme do zhvillohej seanca gjyqësore ku do të vendosej për kujdestarine e fëmijëve.