Itali, 10 maj 2014 – Rrihte dhe ofendonte fëmijët. U gjuante me shuplaka, i mallkonte dhe shpeshherë edhe i shtynte. Madje arrinte deri aty sa t’u mbyllte gojën me ngjitës, kur qarjet e tyre nuk i duronte më.

Këto janë veprimet e kryera nga drejtoresha e një kopshti fëmijësh në provincën e Milanos. Ajo është arrestuar nga karabinierët, pasi akuzohet për keqtrajtimin e 11 fëmijëve nga 1 deri në 3 vjeç.

Një video e regjistruar në ambientet e kopshtit ishte prova më e rëndësishme në duart e karabinierëve për të arrestuar gruan. Gjithsesi 40 vjeçarja në momentin e arrestimit ka mohuar çdo gjë, madje është mbrojtur duke thënë se në kopshtin e saj nuk ndodh asgjë, por e gjithë kjo bëhet për t’i prishur imazhin.

Hetimi nisi pas denoncimit të bërë nga një punonjëse e kopshtit, e cila kishte deklaruar në polici, se fëmijëve u jepej pak për të ngrënë, dhe në disa raste ushqimi ishte i skaduar. Por ajo që zbuluan karabinierët në fund të hetimeve ishte më e thellë sesa kaq.

Fëmijët ushqeheshin me të njëjtën lugë dhe nga e njëjta pjatë, duke mos siguruar kështu as normat elementare të higjenës. Prindërit nuk dinin asgjë, sepse drejtoresha i siguronte çdo ditë se gjërat shkonin shumë mirë dhe fëmijët ndiheshin të kënaqur.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/