Policia e Korçës ka finalizuar operacionin “Tatimi” të drejtuar nga SPAK, duke arrestuar Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë dhe një specialist të regjistrimit.

Gazetarja Lorena Kodra raporton për “BalkanWeb” se kanë rënë në pranga drejtori Thoma Tontonozi dhe specialisti Stjuart Bardhoshi, të cilët akuzohen për korrupsion.

Njoftimi:

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në funksion të këtij procedimi nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes, u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar “Tatimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

• Th. T., 58 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë.

• S. B., 39 vjeç, banues në Korçë, me detyrë specialist i regjistrimit pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë.

Për këta shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës të Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në provat e sigurura gjatë hetimit nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë nën drejtimin e Prokurorit të SPAK, ka vendosur masën e sigursë “Arrest në burg” për dy shtetasit e mësipërm.

Hetimet për këtë procedim penal janë kryer nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, intesivisht për një muaj nën drejtimin e Prokurorit të çështjes dhe gjatë finalizimit të operacionit, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi vlere monetare dhe dokumentacion që vërteton implikimin e dy punonjësve në veprimtari korruptive.

Këta shtetas kundrejt rryshfetit i kanë premtuar disa subjekteve për të mos ushtruar kontroll të thelluar për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore.

Nën drejtimin e SPAK, vijonë hetimet për evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari korruptive.