Ekuador, 13 gusht 2014 – Policia ekuadoriane e Antidrogës, me ndihmën e DEA-s amerikane, organizoi një operacion të suksesshëm kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës në muajin qershor.

Gjatë operacionit u konfiskuan 278 kg kokainë e pastër. U arrestuan dhjetra trafikantë ekuadorianë dhe të huaj, disa nga të cilët dyshoheshin se kishin përdorur dokumente të falsifikuara identifikimi për t’u maskuar. Nga bashkëpunimi i Interpol Quitos me Zyrën Qëndrore të Interpolit në Lion, me Interpol Brukselin, Interpol Romën dhe më pas me konfirmimin e marrë nga Interpol Tirana u identifikua një nga të arrestuarit për trafikun e 278 kg kokainë.

Në rrjetën e policisë ekuadoriane ka rënë shqiptari Dritan Rexhepi, 34 vjeç, një emër i njohur për policinë shqiptare dhe jo vetëm për shkak të “karrierës” së pasur kriminale dhe “specializimit” të tij për arratisjet nga burgu.

Dritani në vitin 2006 u arratis nga dhomat e paraburgimit të Durrësit. Drejtësia shqiptare e dënoi më pas me 25 vjet burg për armëmbajtje pa leje dhe vrasjen e dy policëve në Fushë Krujë në vitin 1998.

Në 13 korrik 2011, Rexhepi arrestohet për grabitjen me armë të bankës së dytë më të madhe të Barcelonës. Me kërkesë të Interpol Brukselit ekstradohet nga Spanja në Belgjikë.

Në tetor 2011, pa mbushur një muaj në burgjet belge, Dritani arratiset nga burgu i sigurisë së lartë të Merksplas-it (ne foton poshte).

34 vjeçari shqiptar është shpallur person në kërkim në Hollandë dhe Itali për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa në Belgjikë ishte në kërkim për trafik droge dhe grabitje me armë.

Dritani ishte arratisur edhe nga burgu i Pavias (ne foton poshte) së bashku me Leonard Myrtajn dhe Ylli Ndojin, në 17 mars 2011. Ai kishte arritur të arratisej edhe nga një burg holandez.

Autoritetet ekuadoriane po diskutojnë me Interpol Lionin se drejt cilit vend do të ekstradohet një kriminel i tillë me një karrierë kaq të pasur ndërkombëtare si Dritan Rexhepi.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/