Itali, 8 shtator 2014  – Durrsaku Fatjon Muça, 25 vjeç dhe një minoren 17 vjeçar po shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet publik nga mediet italiane u arrestuan nga karabinierët e Padovës të shtunën në darkë.

Gjatë kontrollit të banesave të tyre u kapën 35 kg heroinë e pastër (me çmim pakice vlen rreth 7 milion euro). Në banesë u zbuluan edhe 60 kg. substancë që shërben për përzierjen e drogës. Shtëpia ishte kthyer në një laborator droge, ku kryhej përzjerja e heroinës së pastër si edhe ambalazhimi në pako 1 kilogram, por edhe në doza për përdorim personal, të gatshme për shitje.

Karabinierët sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe peshore precizioni, 4 presa, enë për përzierjen e drogës, 6 pajisje përzierëse droge (frulatorë) si edhe 25 000 euro kesh në bankënota, të prerjeve të vogla. U konfiskuan edhe 6 celularë, memoria e të cilëve besohet se mund të ofrojë të dhëna të dobishme për zhvillimin e hetimeve.

Minoreni 17 vjeçar u dërgua në burgun e të miturve në Trevizos, ndërsa Fatjoni u dërgua në burgun e Padovës. Karabinierëve u tërhoqi vëmendjen fakti që të dy të arrestuarit nuk kishin precedentë penalë dhe ishin absolutisht të padyshuar si trafikantë droge.

Ishte një sinjalizim nga kolegët karabinierë të vendosur në Shqipëri, që shërbeu për fillimin e survejimit të bazës, ku strehohej ky laborator droge. Më pas karabinierëve u tërhoqi vëmendjen fakti, që në apartament dritat mbaheshin ndezur natën e ditën, derisa të shtunën u krye arrestimi i dy trafikantëve.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/