Drejtoria e Policisë së Durrësit, në një njoftim për shtyp, bën të ditur se specialistët për Krimet, pas informacioneve të marra në rrugë operative, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë në zonen e Spitallës të shtetasit Dashamir Saka, 33 vjeç, banues në Durrës.
Saka në momentin që ka evidentuar Shërbimet e Rendit është munduar të largohet duke hedhur në rrugë çantën e krahut (marsupin).
Efektivat e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje duke bërë të mundur kapjen e tij dhe sekuestrimin e çantës, në brendësi të së cilës gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
• një armë zjarri pistoletë tip TT, model 54, kalibri 7.62 mm; (ne foto)
• 9 fishekë ku 6 ishin në krëhër, 1 në folenë e fishekëve, pasi arma ishte e mbushur dhe 2 fishekë në çantë.
Saka është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër pronës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje a armëve luftarake" parashikuar në nenin 278 të Kodit Penal.





