Itali, 30 prill 2014 – Prokuroria e Komos ka ndaluar mbrëmjen e së martës Monica Sanchi-n, kamarieren 36 vjeçare, që mendohet se ka ndihmuar Dritan Demirajn për të vrarë ish të dashurën e tij dhe partnerin e saj.
Sanchi është e dashura e Demirajt, që tashmë ndodhet në burg, pasi ka pranuar vrasjen e Lidia Nusdorfit, e vrarë në stacionin e Mozzate-s dhe të fejuarit të saj 30 vjeçar Silvio Mannina, të cilin Dritani e mbyti me një kabëll dhe më pas e groposi në një shpellë.
Monica Sanchi ka pranuar para hetuesve, se ka qenë ajo që tërhoqi Lidian në kurthin që i kishte ngritur Dritani. Ndërsa Lidia priste të takohej me të dashurin e saj, ajo u përball me Dritan Demirajn, me të cilin kishte edhe një fëmijë.
Prokurorët janë duke hetuar nëse Sanchi ka ndihmuar Demirajn për të vrarë edhe Mannina-n.
Ende nuk dihet nëse e dashura aktuale e Demirajt u ka treguar hetuesve të dhëna të reja përsa i përket dyshimit se shqiptari mund të ketë vrarë edhe kushëririn e tij, pasi ky i fundit duket se ka pasur marrëdhënie me Lidian gjatë kohës, që italiania ndodhej në Shqipëri,
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





