Policia e Kosovës e ka arrestuar më 19 tetor një person të nacionalitetit serb me inicialet M.M., nën dyshimet se ka qenë anëtar i një grupi kriminal të përfshirë në vrasjen e politikanit opozitar serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviçit.

Urdhrin për arrestimin e të dyshuarit e ka dhënë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Oliver Ivanoviç, i cili ka udhëhequr nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), është vrarë më 16 janar të vitit 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka thënë se i arrestuari dyshohet se ka qenë anëtar i grupit kriminal të organizuar dhe ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale ‘pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal’.

Sipas deklaratës, për këtë person ka pasur urdhërarrest në fuqi prej vitit 2019, mirëpo ai ka qenë “i paarritshëm për organet e ndjekjes”.

Ndërkohë autoritetet pritet t’i caktojnë masën e paraburgimit.

Deri ku ka arritur hetimi për vrasjen e Ivanoviçit?

Deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen, në të cilat nuk ka pasur ndryshime të mëdha thelbësore. Procesi gjyqësor po vazhdon ende.

Seanca e fundit në rastin e vrasjes së liderit së Ivanoviçit është mbajtur më 18 tetor, në të cilin një dëshmitar i mbrojtur ka refuzuar të japë deklaratë me arsyetimet se nuk dihet i sigurt.

Aktakuza janë ngritur kundër Nedelko Spasojeviçit (oficer policie), Marko Roshiçit (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviçit (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviç), Dragisha Markoviçit (oficer policie), Zharko Jovanoviçit (oficer policie) dhe Rade Basaras (oficer policie).

Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiç (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiç (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviç (biznesmen).

Ndaj këtyre të fundit nuk është ngritur aktakuzë pasi ata kanë qenë në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur aktakuzën e parë.

Në aktakuzë përmenden Radoiçiç dhe Vesellinoviç si “udhëheqës të një grupi kriminal” që ka planifikuar vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviç.

Më 2019, Kosova ka lëshuar një urdhërarrest për Radoiçiçin nën dyshimin se ka pasur lidhje me vrasjen e Ivanoviçit.

Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiqin është tërhequr në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në veri të Kosovës.

Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviçit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviçit, në listën e sanksioneve të SHBA-së

Millan Radoiçiç dhe Zvonko Vesellinoviç ndodhen tashmë në listën e sanksioneve nga Departamenti amerikan i Thesarit, për shkak “të përfshirjes në rrjete korruptive me krimin e organizuar ndërkombëtar”.

Sanksionet vlejnë edhe për 10 persona të tjerë, serbë nga veriu i Kosovës, që janë të ndërlidhur me Veselinoviçin, të cilin SHBA-ja e përmend si udhëheqës i grupit kriminal.

Në mesin e tyre janë edhe Zhelko Bojiç, emri i të cilit ndërlidhet me vrasjen e Ivanoviçit dhe Marko Roshiç, i cili është njëri prej të akuzuarve në këtë rast.

Sanksionet e SHBA-së nënkuptojnë që pronat e individëve, të cilët ndodhën në listën e zezë, do të bllokohen derisa shtetasve amerikanë u ndalohet bashkëpunimi me ta./REL