Policia e Tiranës ka arrestuar kandidatin për deputet të LSI-së, Etion Joka, i cili akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve, Joka është shfaqur në një video ku shihej teksa jepte para në këmbim të votës.

Ai u akuzua për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe për këtë arsye Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.

“Nga specialistët për Hetimin e Korrupsionit u bë ekzekutimi i vendimit penal, për shtetasin E. J, 32 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,-njofton policia.