15 shkurt 2015 –  Nikolla Tellosi, shkodran i datëlindjes 24 qershor 1994, futbollist me skuadrën italiane të kategorisë së dytë Gabeti Valexhio (Gabetti Valeggio) u arrestua nga policia e qytezës së Valverdes të premten më 13 shkurt 2015. Nikolla po pinte në banakun e një bari, kur banakierja refuzoi t’i jepte të pinte, sepse ai tashmë ishte thuajse i dehur dhe do të rrezikonte jetën, nëse do ta ngiste makinën i pirë.

Nikolla, në vend që ta falenderonte banakieren, e godet me grusht në gjoks. Ndërhyn pronari i barit, që ishte edhe bashkëshorti i kamarieres dhe tenton ta nxjerrë jashtë. Nikolla nxjerr një dorezë hekuri dhe e godet në fytyrë duke e gjakosur. Polica tenton ta qetësojë Nikollën, por ai nuk qetësohet dhe fillon të fyejë, kërcënojë, madje edhe t’i godasë me grushta policët.

Në fund fare, Nikolla përfundon në burg. Këtë të dielë nëpërmjet procedurës së gjykimit të shkurtuar u dënua me një vit burg me kusht, sepse, ndonëse vetëm 21 vjeç, ai kishte edhe precedentë të tjerë penalë për krime kundra personit.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/