Një gazetar dhe një punonjëse e Agjencisë së Mbikëqyrjes policore kanë rënë në prangat e policisë, pasi kishin hapur një portal ku shpërndanin lajme të rreme.
U arrestuan në flagrancë Regina Omeri 34 vjeçe, me detyrë punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës dhe Ervis Hasanaga 35 vjeç me profesion gazetar si dhe u shpall në kërkim policor Kushtrim Selimi, me detyrë Shef Sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë të Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë hetimeve të kryera nga dhe bazuar në kallëzimin penal të një personi, ka rezultuar se ata në bashkëpunim më njëri tjetrin, kishin hapur një portal media online dhe rrjete sociale të lidhura me këtë portal e konkretisht portalin “shqipnews”, në të cilin publikonin lajme të rreme, për titullarë institucionesh, duke denigruar figurën e tyre.
Shkrimet ishin anonime dhe shpërndaheshin online.
Njoftimi i policisë:
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Antonimet”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
R. O., 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës;
E. H., 35 vjeç, me profesion gazetar.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. S., 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularë.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.