Policia italiane kë vënë në pranga një të ri shqiptar, i cili rezulton me një dosje të madhe penale në vendin fqinjë.

21 vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, rezulton të jetë autor i një serie vjedhjesh në shtëpi, të realizuara në provincat e Castelnuovo del Garda, Valleggio sul Mincio dhe Peschiera dimrin e kaluar.

Sipas policisë, i riu shqiptar ndiqte përherë një “praktikë” kur vidhte shtëpitë. Ai futej në to në intervalin kohor 18.00-20.00, duke shfrytëzuar momentet para rikthimit për darkë në shtëpi të të zotëve të banesës.

Në bazë të denoncimeve të personave të vjedhur prej tij, 21 vjeçari ka arritur të marrë nëpër shtëpitë e italianëve, bizhuteri, kompjuter, ora dhe madje automjete.

Ai i kryente lëvizjet e tij me një makinë Fiat Punto, në ngjyrë gri. Nga shenjat e gishtave të gjetura në makinë dhe në shtëpitë e vjedhura prej tij, policia arriti të identifikonte 21 vjeçarin, që nuk kishte deklaruar në Itali një banesë fikse.

Ai u gjet në shtëpinë e vëllait të tij, ndërsa ishte vënë në arrest shtëpiak, për një tjetër vjedhje që ishte shndërruar në grabitje, pasi shqiptari kishte goditur me forcë pronarin. Grabitja kishte ndodhur vetëm një javë më parë.

Tashmë ai është dërguar në burgun e Spezia-s, ndërkohë që policia po punon për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tij, pasi 21 vjeçari me precedentë penal rezulton pjesë e një grupi kriminal që operon në Itali.