Në lidhje me sulmin terrorist i cili ndodhi dy ditë më parë në Londër, ku 27 persona mbetën të plagosur, policia britanike ka arrestuar një person të dytë.
Personi i arrestuar është një 21-vjeçar dhe u kap gjatë një aksioni anti-terrorist rreth orës 23:30 mbrëmjen e së shtunës sipas orës lokale. Identiteti i tij nuk bëhet me dije për arsye të hetimeve, ndërsa ai është dërguar në një stacion policor në jug të Londrës ku po merret në pyetje.
Ndërkohë, disa orë pas sulmit në metro policia kishte arrestuar një 18-vjeçar në lidhje me këtë ngjarje. Në stacionin e metrosë Parsons Green në Londër shpërtheu një bombë artizanale paraditen e së premtes.
Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin terrorist. Pas kësaj ngjarje, Britania e Madhe rriti nivelin e alarmit, duke bërë që ushtarët të dalin në rrugë për rritjen e sigurisë.