Arrestohet një i ri nga Shënavlashi i Durrësit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohet për vjedhje dhe vrasje në Itali.

Bëhet fjalë për Dorjan Gjokën, 21 vjeç, arrestimi i të cilit u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë. 21-vjeçari akuzohet për vrasjen e një të moshuare në Itali, që erdhi si pasojë e grabitjes që ai po kryente në shtëpinë e saj.

Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Astit, Itali,ka lëshuar “Urdhër Arresti” Nr. 5127/15 R.G.N.R – 4034/15  R.G.GIP, datë 17.03.2016, për veprat penale “Vrasja” dhe “Vjedhje në rrethana rënduese” parashikuar në Nenet 624, 625, 628 dhe 586 të Kodit Penal Italian”, njofton policia e Durrësit.

Mësohet se maksimumi i dënimit për këto akuza është deri në 20 vjet burgim.

Vdekja e të moshuarës

Gjoka, në janar të 2015-s, në Pocapagalia, ka kryer tri vjedhje banesash dhe më datë 21.06.2015, ka kryer një grabitje në Pollenzo, me pasojë vdekjen e shtetases italiane M. P.

Gjoka është shpallur në kërkim nga ZQK Interpol Tirana me shkresën Nr. 5523/k/6, datë 25.09.2016.