TIRANË 1 shkurt 2014 – Policia e Tiranës ka vënë në pranga personin që kishte porositur vrasjne e biznesmenit të hidrokarbureve. Porositësi i cili kishte paguar 120 mijë euro për vrasjen është Ilir Karçini biznesmen gazi. Arrestimi i biznesmenit të gazit u bë pas marrjes së deshmisë nga Juljan Sinanaj i cili ka zbardhur një sërë vrasjesh me pagesë që ka bërë. Karçini është aksionari i vetëm i firmës së gazit “PrimaGaz”. Ai u vu në pranga pas hetimeve të kryera nga Krimet e Rënda.
Tre ditë më parë kreu i Policisë së Tiranës Ardian Çipa bëri me dije se policia mundi të parandalonte vrasjen e një biznesmeni të hidrokarbureve emri i të cilit nuk u bë publik, një vrasje kjo e porositur e cila ishte marrë përsipër të kryhej nga Juljan Sinanaj , Marion Mitro dhe N.GJ. Ky i fundit është dhe personi i penduar i bandës që bashkëpunoi me Prokurorinë dhe zbardhi gjithë zinxhirin e vrasjeve me pagesë dhe shpërthimeve me tritol.
Juljan Sinanaj u vu në pranga nga policia në 25 janar të këtij viti. Në banesën e tij me qira te “Rruga e Kavajës” u gjet një arsenal i plotë armësh, bomba e municione të cilat i përdorte për të kryer vrasjet me pagesë. Vet Sinanaj ka pranuar në polici se ka kryer 27 vrasje me pagesë në këmbim të shumave marramendëse të parave. Pjesën më të madhe të krimeve Sinanaj i ka kryer në shtetin Grek.





