Kampioni shqiptar i boksit, Florian Marku, është arrestuar në Gjermani duke qenë se ishte në kërkim nga autoritete greke, pasi ato e kanë dënuar me 7 vite burg për një incident që përfshinte armë zjarri dhe lëndime trupore.
Burimet bëjnë të ditur se ai kishte udhëtuar për arsye personale më 9 dhjetor në Gjermani, ku është bërë edhe ndalesa. Boksieri ishte në kërkim për një incident që kishte ndodhur në Greqi, kur ai ishte 18 vjeç.
Aktualisht Florian Marku ndodhet në Gjermani dhe pret për t’u transferuar në Greqi, pasi për të njëjtën çështje vite më parë ai ka kryer 1.5 vite burg, ndërsa ka qenë dënuar me 7.
Çështja është apeluar dhe sipas ligjit të ri në vendin fqinj, duhet te kryejë së paku 1/3 e dënimit. Sipas përllogaritjeve Florianit i duhen dhe rreth 6 muaj që të mbyllë përfundimisht çështjen.
Florian Marku jetonte prej vitesh në Angli së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij, ndërsa kohët e fundit ka qëndruar larg mediave dhe publikut.
Ai zgjodhi të tërhiqej që prej humbjes me Cris Congon më 24 mars te 2024, ndërsa kishte premtuar që shumë shpejt do të rikthehej në ring. Boksieri e ka filluar karrierën e tij në kikboks, më pas kaloi në MMA (Artet e Përziera Marciale) dhe boks.