15korrik 2015 – Shkëlqim Celami, me detyrë kapiten në Kapitenerinë e Portit Detar Shëngjin u arrestua sot për korrupsion se kishte dhënë në kundërshtim me ligjin lejen për lundrim të anijes “Sarda”. Sot u ndalua edhe pronari i mjetit, Reoland Lekaj, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi B.Ç., me detyrë punonjës i Policisë në Drejtorinë e Policisë Kufitare dhe Migracionit Durrës, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas policisë, nga një hetim 4-mujor, proaktiv, në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Lezhë dhe Durrës, duke vënë në përdorim metodat speciale të hetimit, rezultoi se punonjësi i Policisë me iniciale B.Ç., në bashkëpunim me shtetasin Reoland Lekaj kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj shtetasit Shkëlqim Celami, i cili ushtron detyrën e Kapitenit në Kapitenerinë e Portit Detar Shëngjin, për lëshimin në mënyrë të kundraligjshme të Dëshmisë së Aftësisë së Lundrimit për mjetet e vogla, në favor të shtetasit Reoland Lekaj, pronari i mjetit të lundrimit “SARDA”.

Kundrejt shpërblimit prej 3000 euro, të dhëna nga shtetasi Reoland Lekaj, me ndërmjetës punonjësin e Policisë B.Ç., kapiteni Celami krijoi favore për lëshimin në liqenin e Vaut të Dejës me dokumentacion jo të përshtatshëm të mjetit lundrues “SARDA”.

Mjeti i lundrimit së bashku me certifikatën e Dëshmisë së Aftësisë së Lundrimit, me vendim të organit të Prokurorisë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/