Policia greke në rajonin e Selanikut, ka vënë në pranga tre shtetas shqiptarë, midis tyre edhe një femër që akuzohen për trafik droge.
Policia greke sqaron se kishte marrë informacione në lidhje me shpërndarësit e drogës, e më pas ka identifikuar dhe arrestuar tre shqiptarët, përkatësisht një 54-vjeçar, një 30-vjeçar dhe një grua 39-vjeçare, të cilët janë akuzuar për posedim të lëndëve narkotike dhe armëve.
Sipas medieve greke, që i referohen policisë, 54-vjeçari kishte rolin e furnizuesit me kokainë, ndërsa personat e tjerë merreshin me ruajtjen dhe shpërndarjen e kokainës dhe kanabisit.
Arrestimet e tyre janë kryer gjatë ditës së djeshme, ndërsa janë sekuestruar 28 pako kanabis, dy shishe me vaj kanabisi, substanca me ngjyrë të bardhë, ende të panjohura, një sasi prej 3600 eurosh, 9 telefona celularë, dy fishekë si dhe peshore elektronike.





