TIRANË – Dje nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar filloi procedimi penal për shtetasit: Abdullah Zabit Skeja, 27 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Farkë dhe Gjin Lazër Marku, 54 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Tiranë, kryetar i Komitetit te Pajtimit Mbarëkombëtar.

Procedimi penal në ngarkim të tyre filloi në kuadër të operacionit “Azilianti”, ku është bërë i mundur bllokimi në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas i shtetasit Abdullah Skeja, i cili posedonte dokumente, të lëshuara nga ana e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombtar, si vërtetime hasmërie në të cilën pasqyroheshin të dhëna në lidhje me hasmëritë, që ky shtetas dhe familjarët e tij kishin me një familje tjetër në Dibër dhe kërkonin azil në Kanada me dokumenta të falsifikuara. Po ashtu edhe dokumente të tjera, të lëshuara nga kryetari i Komitetit të Pajtimit, shtetasi Gjin Lazër Marku.